Bashkëkryetarët e grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, paraqitën sot në Dhomën e Përfaqësuesve një projekt-rezolutë ku dënohen me forcë sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë.
Projekt-rezoluta e hartuar me nismën e ligjvënësit nga Nju Jorku Ritchie Torres kërkon vazhdimin e mbajtjes para përgjegjësisë për ata që organizuan sulmet si edhe bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë. "Është thelbësore që të dënojmë sulmin e shumëfishtë kibernetik iranian ndaj Shqipërisë. Irani në mënyrë metodike u përpoq të minonte Shqipërinë kur ndërmori akte të rrezikshme kibernetike. Irani është një regjim i rrezikshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar Shqipërinë nëse nuk frenohet”, thotë ligjvënësi Torres në një deklaratë për Shqipërinë. 

Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me Irani për shkak të këtij sulmi. Pas këtij vendimi, Rama shkoi në New York dhe teksa foli në OKB i kërkoi SHBA dhe shteteve të tjera që të marrin masa ndaj sulmit kibernetik iranian.