Nga 1 tetori, Agjencia për Eficencën e Energjisë ka nisur fazën e garave të subjekteve që ofrojnë panelet e energjisë diellore dhe instalimin e tyre. Subjektet e interesuara kanë kohë të aplikojnë deri më datë 18 tetor dhe të paraqesin dokumentet sipas kritereve të përcaktuara, ndërsa fituesi do të shpallet më datë 30 tetor.
Kjo është një nismë e qeverisë që mbështet 2 mijë familje që do të duan të impementojnë në shtëpinë e tyre panele diellore dhe qeveria do t’i subvencionojë me 70% të shumës. Ndërsa qeveria Rama ka bërë me dije se duke filluar nga 1 nëntori do të ketë një listë të subjekteve që ofrojnë shërbimin dhe qytetarët do të kenë të drejtë të aplikojnë për vendosjen e paneleve diellore për ngrohjen e ujit. 

"Kjo fazë e dytë konsiston në kërkesën e qytetarit për t’u bërë pjesë. Qytetari do të zgjedhë një nga subjektet fituese për të vijuar punën me të duke kryer vetëm pagesën 30%. Pasi të jenë përfunduar të gjitha hapat dhe kur të futet në punë kjo njësi gjeneruese, subjekti do të kompensohet nga Agjencia për Eficencën e Energjisë me 70%”, tha Balluku.