Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri nuk do të ndryshojë pavarësisht krizës që po kalon sektori energjetik në të gjithë botën. Qeveria Rama ka vendosur të mbrojë abonentët familjarë dhe biznesin e vogël por gjatë dimrit kush kalon fashën limit do të paguajë më shumë.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi se duke nisur nga 1 Tetori konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovat/orë energji elektrike në muaj, mbi këtë sasi do të faturohen me vlerën e tregut.

"Fasha mbi 800 do të fillojë të konsiderohet me çmimin e tregut. Zbatimi, synimi jonë është që të fillojë më 1 tetor”, tha Balluku duke bërë të ditur se çmimet e energjisë në bursën ndërkombëtare kanë kaluar çdo parashikim, ku sot vlera arriti në 616 euro për megavat.